Vetëm mjekët fiziatër mund të hapin ordinancë private
Në Maqedoni për momentin ekziston një shkollë e mesme e arsimit mjekësor për fizioterapist teknikë dhe me arsimin e lartë në kuadër të Fakultetit të Mjekësisë në Shkup, Shtip, Manastir dhe Tetovë , mirëpo, pas diplomimit, ata me ligjin aktual nuk kanë të drejtë të hapin ordinancë private
Delvina KËRLUKU
Shkup, 2 korrik – Fizioterapistët, të cilët kanë kryer fakultet nuk u ofrohet pune në vendin e tyre, por as edhe të hapin një ordinance private. Nga shoqata e Fizioterapistëve në Maqedoni thonë se ata kufizohen të ushtrojnë aktivitet e tyre profesionale, ku edhe janë arsimuar. Problemi me ligjin që nuk lejon të hapen biznese private të fizioterapisë, ka rritur edhe numrin e të papunëve me arsim të lartë në këtë profesion. Arsyeja për këtë situatë, sipas Bllazhe Arsov (kryetar i shoqatës së Fizioterapistëve), është se nuk ka asnjë mundësi ligjore për të hapur ordinancë fizioterapike private, ku ata do të ushtrojnë profesionin. Por, një problem tjetër që shtrohet nga kjo shoqatë është se në institucionet shëndetësore publike, sistematizimi i fizioterapistëve është i ulët dhe se në këto vende pune janë të punësuar vetëm fizioterapist teknikë. Kjo, sipas Arsov, de motivon fizioterapistët e rinj të diplomuar, ku edhe bëhet shkaku kryesor që ata lëshojnë vendin dhe shkojnë në vendet e Evropës Perëndimore të ushtrojnë profesionin. Një nga problemet më të mëdha të fizioterapistëve, për këtë shoqatë, është edhe mungesa e një dhome profesionale – një dhomë e fizioterapistëve që do të lëshonte leje pune dhe në të njëjtën kohë të jetë rregullues i problemeve në këtë fushë.
Arijan Selmani magjistër në fushën e fizioterapisë thotë, për gazetën “Koha”, edhe pse fizioterapistët kryejnë shkollë të lartë ata nuk kanë të drejtë të ushtrojnë aktivitetet e tyre në mënyrë të pavarur, për shkak që nuk e lejon rregullativa ligjore. Fizioterapia përfshihet në 226 grupe të tjetra të profesioneve të shëndetësisë. Stomatologjia, farmacia, oftamatologjia, dhe shumë drejtime të tjera sipas Selmanit ushtrojnë aktivitete të pavarura, ndërsa për fizioterapistët nuk është e lejuar ordinancë private. Ai shton se për ordinancë private kanë të drejtë vetëm doktorët fiziatër e jo fizioterapistët. Fiziatri është ai që ka mbaruar mjekësinë e përgjithshme, pastaj dhe disa vite shkollë për fiziatri. Ndërsa, fizioterapisti ka kryer shkollën e mesme ose të lartë. Sipas Selmanit, fizioterapia është një nga profesionet më të kërkuara në Evropë, prandaj shumë vende kanë rregulluar statusin e fizioterapistëve. Për të drejtat e fizioterapistëve Selmani është inkuadruar në shoqatën e Fizioterapistëve të Maqedonisë, ku edhe bëjnë përpjekje për të zgjedhur statusin e fizioterapistëve të papunë me arsim të lartë. Kjo shoqatë përpiqet që të ndihmojë pacientët, të kenë qasje të drejtpërdrejtë në fizioterapi. Ata nuk e shohin të arsyeshme që pacientët të udhëtojnë jashtë vendit për të marrë rehabilitimin mjekësor dhe në këtë mënyrë për të shpenzuar fonde të mëdha nga Fondi për sigurim Shëndetësor. Sipas informacioneve nga Agjencia e Punësimit, vitin e kaluar në vend kishte 378 fizioterapistë të papunë. Shumica e tyre janë fizioterapis – teknikë (243), fizioterapistë me shkollë të lartë (10), dhe me fakultet (114), ndërsa fizioterapist – specialist (11). Një vit më parë, megjithatë, pati 340 fizioterapistë të punësuar në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private dhe atë 61 fizioterapist të diplomuar, 42 fizioterapistë me shkollë të lartë dhe 237 fizioterapist teknikë. Në Maqedoni, për momentin ekziston një shkollë e mesme e arsimit mjekësor për fizioterapist teknikë dhe me arsimin e lartë në kuadër të Fakultetit të Mjekësisë në Shkup, Shtip, Manastir dhe Tetovë. (koha.mk)